Ligji i faljes, shuhen 410 mln euro detyrime në Tatime, përfitojnë mbi 204 mijë tatimpagues
Mbi 204 mijë tatimpagues kanë përfituar deri në fund të korrikut nga fshirja ose shuarja e detyrimeve tatimore, me një vlerë totale prej 410 milionë eurosh.
Procesi i faljes vijon dhe do të mbyllet më 31 dhjetor 2026.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), deri më 31 korrik 2026 janë fshirë ose shuar detyrime në vlerën 410 milionë euro për 204,413 tatimpagues, në zbatim të përcaktimeve të Ligjit nr. 86/2025. Procesi i fshirjes automatike vijon për të gjithë tatimpaguesit që plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj.
Administrata Tatimore u kujton tatimpaguesve se procesi i faljes përfundon më 31 dhjetor 2026. Ligji për fshirjen e detyrimeve tatimore, doganore dhe të pushtetit vendor po zbatohet në disa faza, në varësi të periudhës së krijimit të detyrimit dhe mënyrës së shlyerjes së principalit.
Falja për detyrimet e periudhës 2015–2019
Nga 10 deri më 30 qershor 2026 u zbatua faza e pagesave për përfitimin nga falja me kusht e detyrimeve tatimore, gjobave dhe kamatëvonesave. Për detyrimet që i përkasin periudhës 2015–2019, tatimpaguesit përfitonin fshirjen e 50% të detyrimit principal, si dhe fshirjen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht që 50% e mbetur e principalit të paguhej njëherësh brenda periudhës 10–30 qershor 2026.
Për të njëjtën periudhë, ligji parashikon edhe një mundësi tjetër. Tatimpaguesit mund të përfitojnë fshirjen e 25% të detyrimit principal dhe fshirjen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave, nëse paguajnë 75% të principalit deri më 31 dhjetor 2026.
Për detyrimet e viteve 2020–2024 afati përfundon më 31 dhjetor
Për detyrimet që i përkasin periudhës 2020–2024 parashikohet fshirja e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht që tatimpaguesi të paguajë 100% të detyrimit principal.
Pagesa e principalit për këtë kategori mund të kryhet nga 10 qershori deri më 31 dhjetor 2026. Pas përmbushjes së kushtit të pagesës, tatimpaguesi përfiton nga fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 86/2025.